Pershendetje e profesor Sami Repishti nga New Yorku Paqja dhe kultura e ligjit kunder gjakmarrjes I nderuemi Z. Gjin Marku Kryetar i Konferences Kulturore: Shteti i pare Shqiptar- 800 vjetori i Principates se Arberit (shek.12-13) Te nderuem pjesemarres ne Konferencen: Kam marre ftesen tuej per pjesemarrje ne Konferencen Kulturore qe keni organizue, e qe do te mbahet ne Tirane me 18 prill 2014. Je falenderoj perzemersisht per kete nderim dhe ju deshiroj sukses te plote ne punen tuej, nji sukses qe parashikoj kur shoh emnat e shquem te historianeve shqiptare pjesemarres, e per te cilet kam konsideraten ma te nalte. Çmoj shume kontributin tuej ne njohjen dhe avancimin e matejshem te ditunive qe kemi per historine e vendit tone. Sidomos sot, kur edhe elementet themelore te qenies sone si komb shqiptar, siç jane zanafilla e jone ilire dhe lavdia e epokes skenderbegiane vihen ne dyshim nga studjues te huej, dhe disa imitatore te vendit. Pune e juej veshtiresohet sot edhe nga atmosfera e padeshirueshme e shoqenise shqiptare, e tronditun nga fryma e konsumerizmit dhe defrimeve te pafrenueshme dhe damtuese, ku "e mira materiale" predominon pa diskutim. Por puna e juej ashte shume ma superiore, sepse ajo perfaqson formen ma te nalte te qenies njerezore: mendimin, e ne kete rast mendimin historik shqiptar. Kete status prefencial e keni arrijte me djerse e kambengulje, me ore, dite e vite te gjata te mbyllun ne bibliotekat e vendit e te jashteme, ne arkivat e vendit dhe te hueja, shpesh here te vendosuna ne bodrume pa drite dielli dhe me ajr te mbyllun; ashte arrijte me ore, dite e vite te gjata te krrusun mbi tryezen e punes ne heshtje, ne meditacion, dhe te mbeshtjellun nga zbulimet e bame, idete e reja, e perfundimet qe sigurojne kenaqsine e qe nuk kane çmim, veçse ne mendjet e ndrituna e zemrat e atyne qe çmojne e preferojne ditunine e vertete ma shume se informacionin e dites. Historia -qe une konceptoj si marshi triumfues i njerezimit drejt lirise se plote - nuk ashte shkence ekzakte, sepse ashte e pamundun me zbulue te gjithe faktoret e ekuacionit historik. Por kerkimi kambengules i se vertetes ashte nji imperativ kategorik. Ndershmenia intelektuale ashte nji imperativ kategorik. Dhe çfaqja me guxim e perfundimeve tona, pavaresisht nga qendrimi i politikes se dites ose i autoritetit qeveritar, ashte gjithashtu nji imperativ kategorik. Interpretimi i jone i historise mund te ndryshoje, ne kohe e ne hapesine, por vendosmenia e jone me kerkue e zbulue te verteten nuk duhet te ndryshoje. Sepse, nji e mete e ketill komprometon rande jo vetem personalitetin e historianit, por edhe njohjen e historise sone, qofte kombetare qofte universale. Ka kalue koha e historise si "folklor"! Edukimi i brezave, e ardhmja e kombit, varet shume nga ajo qe na i sherbejme sot si ushqim mendor e shpirtenor. Perseri, urimet e mia per nji sukses te plote te Konferences, - dhe me perserite nji thanje te Fan S.Nolit tone, dhe te te gjithe shqiptareve: "Paçi uraten e Perendise"! Sami Repishti, Ph.D. City University of New York (SHBA) (retired) 11 prill 2014