00355 68 27 37 989 gjin_marku@yahoo.com

Tiranë më 22 korrik 2013
Konkluzione të ekspeditës kombëtare të misionarëv të pajtimit për shkaqet e
rritjes së dhunës në shoqërinë shqiptare.
Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar që nga data 6 janar ka organizuar punën me ekspeditën e
pajtimit duke përfshirë edhe periudhën fushatës elektorale para e pas zgjedhore. Pa asnjë
mbështete por dhe i sulmuar për qëndrimet oponente ndaj keq qeverisjes dhe mosfunksionimit të
shtetit të së drejtës, Komiteti nuk e ka ndërprerë asnjëherë punën e tij për ndalimin e vrasjeve dhe
mbështetjen ndaj familjeve në nevojë. Megjithëse fenomeni i vrasjeve ruajti të njejtin intensitet si
në vitin 2012, përgjatë fushatës elektorale ndodhën më pak vrasje se muajt para dhe pas kësaj
fushate. Kjo erdhi për faktin se gjatë fushatës pati një mobilizim të të gjithë faktorëve që
qytetarët të shmangnin përplasjet për arsye politike. Edhe ekspedita, krahas punës për mbajtjen
nën kontroll të familjeve në hasmëri nxiti qytetarët për një pjesmarrje sa më të gjerë dhe të
kulturuar në debatet elektorale si dhe në procesin e votimit. Nga 1221 familje të ngujuara e 3800
të fshehura nga hasmëria u bë e mundur që 260 nga familjet e fshehura dhe 47 të ngujuara të
shoqëroheshin nga misionarët për në qendrën e votimit. Për shkak se kërkesa e komitetit për
aplikimin e kutive të lëvizëshme të votimit u refuzua nga KQZ, shumica dërmuese e qytetarëve
të përfshirë në hasmëri u privuan nga e drejta e votës. Rreth 30 000 familje të tjera që kanë
konflikte toke në fshat, dhe kanë lëvizur në metropole pa e ndryshuar gjendjen civile, e kanë
pasur të vështirë që të shkojnë në zonat ku kanë vendbanimin dhe regjistrimin e tyre si votues.
Qytetarët e ngujuar e të fshehur nuk mundën të kishin besim për garancinë e jetës. Mosbesimi
për të lëvizuar drejt qendrave të votimit të shoqëruar nga misionarët bazohej tek përvojat e
hidhura të krijuara nga vrasja e Gentian Beqirit kur ai ishte në arrest shtëpie dhe ruhej nga dy
oficerë të policisë, të Rolanda Dokut që kishte një urdhër mbrojtje të policisë me vendim gjykate
apo të Frederik Marku dhe djalit të tij, Jurgen Marku, që u vranës sapo kishin dalë nga
komisariati i policisë ku kërkuan mbrojtje. Grupet e punës së komitetit janë të aktivizuara në
2800 fshatra, 300 komuna dhe 60 bashki. Për vitin 2013 kemi të njejtin intensitet ako më të lartë
të të vrasjeve se sa në vitin 2012. Deri tani janë 78 të vrarë, 65 burra e 13 gra. 18 prej këtyre
vrasjeve janë kryer brenda familjes.
Sipas përcaktimit të policisë:
Për hakmarrje e gjakmarrje janë 18 viktima, 17 burra e 1 grua.

Për motive pronësie janë 6 viktima, 5 mashkuj e 1 femër.
Për motive të dobëta 19 viktima, 14 mashkuj e 5 femra.
Për motive nderi 2 viktima mashkuj.
Për motive xhelozie 4 viktima, 1 mashkull e 3 femra
Për motive politike 1 viktimë, mashkull
Për motive të tjera 26 viktima 23 meshkuj dhe 3 femra
Vrasje aksidentale me armë janë 2 viktima, 2 mashkuj. Por përcaktimet e këtyre vrasjeve sipas
policisë kanë qenë vazhdimisht të pa bazuara, me tendencë mbulimi të së vërtetës.
Qeveria Shqiptare, ka qenë jo vetëm e pa aftë për gjetjen e alternativave që rrisin nivelin e sigurisë
publike dhe të mbrojtjes së jetës së qytetarëve, por me papërgjegjshmërinë e saj e ka thelluar
tendencën e krimit në shoqëri sëbashku me varfërinë. Qeveria ka qenë vazhdimisht kundër
strategjisë së Komitetin të Pajtimit Mbarëkombëtar për kultivimin e kulturës së ligjit e të
parandalimit të krimit nëpërmjet bashkëpunimin të qeverisë me komunietin, të qytetarëve me
policinë dhe institucionet si dhe aplikimin e modeleve që sjellin kontroll mbi territorin e rrisin
nivelin e sigurisë kombëtare. Përballë gjendjes që i ka dalë jashtë kontrollit qeveria u mjaftua
kohët e fundit me miratimin e ndryshimeve në ligj që rrisin masën e dënimit tek vrasjet për
hakmarrje e gjakmarrje, tek vrasjet në familje si dhe tek ato për shkak të detyrës. Që nga miratimi
i këtij ligji këto vrasje janë bërë më intensive. Rishikimi i ligjeve duhej të ishte një hap tjetër dhe
Ministria e Drejtësisë nuk duhej të bënte asnjë propozim për ligjet mbi krimet kundër jetës e
pronës pa u konsultuar me Komtetin e Pajtimit Mbarëkomnbëtar sepse, siç ka vepruar deri tani,
ka gabuar.
Vrasjet në Shqipëri janë krime me vetëgjyqësi, në mungesë të drejtësisë dhe të shtetit të së drejtës
dhe jo vrasje sipas rregullave të gjakmarrjes. Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar e ka të qartë
strategjinë e tij dhe ka kërkuar që nocioni i vrasjes për gjakmarrje të mos përmendet në kod sepse
gjakmarrja si term kanunor nuk ka bazë reale në kushtet e sotme të shoqërisë shqiptare. Vrasjet
me vetgjyqësi nuk janë gjakmarrje. Kjo politikë e paqartë e ligjvënësit i ka futur shoqërinë dhe
institucionet e saj në qorrsokak. Qeveria në njerën anë deklaron se nuk kemi vrasje për gjakmarrje
ose ato janë shumë të pakta e në anën tjetër e rrënjos nocionin në kodin penal e në praktikën
gjyqësore. Edhe kur vetë personi deklaron se ka bërë vrasje për gjakmarrje nuk duhet pranuar
sepse ky deklarim është nën një mentalitet të deformuar kanunor dhe nën degjenerimin psikologjik
të personit të konfliktuar. Propozimi i Minsitrit të Drejtësisë për dënimin me mbi 30 vjet ose me
burgim të përjetshëm të të personit që bën vrasje për gjakmarrje kur vrasësi i parë është i lirë ose
ka bërë më pak 15 vjet burg, nuk e parandalon por e nxit vrasjen për gjakmarrje. Do ishte me vend
që çdo vrasje të dënohet me burgim të përjetshëm dhe jo më pak se 30 vite burgim, për të ndaluar
vrasjen për gjakmarrje dhe justifikuar dënimin e rëndë nëse ajo ndodhte. Këtu duhen specifikuar
vetëm rastet kur vrasja bëhet aksidentalisht apo në rrethanat e vetmbrojtjes ekstreme. Në anën
tjetër që nga momenti kur në kodin penal specifikohet vrasja për gjakmarrje vrasësit dhe mbrojtja
e tyre do deklarojnë të tjera rrethana. Kjo metodë e pamenduar e qeverisë nxit edhe vrasjet me
pagesë. Kështu ka ndodhur edhe me ligjin për dënimin e atyre që kërcënojnë me ngujim. Pas
miratimit të ligjit kundër ngujimit asnjëri prej kërcënuesve nuk deklaroi se kërkon të marrë gjak,
por vetëm se nuk e fal familjen e vrasësit duke iu shmangur kështu ligjit. Komiteti i Pajtimit
Mbarëkombëtar ka përgatitur dhe do i paraqesë qeverisë së re relacionin e plotë për reformën
ligjore për të eleminuar këto kontradikta në kodin penal dhe në sistemin e drejtësisë.
Dhuna në shoqërinë shqiptare, si ajo e shfaqur këto ditë ashtu dhe ajo që është mbajtur e fshehtë
gjatë gjithë viteve të tranzicioni, vazhdon të ketë një intensitet të lartë që nuk ka egzistuar kurrë
ndonjëherë në historinë e shqiptarëve. Numri i vrasjeve pati një rënie deri në vitin 2005, por tani
është dyfishuar, ndërsa vrasja e grave është dhjetëfishuar. Stresi dhe depresioni ka mbërthyer
shumicën e familjeve shqiptare jo vetëm nga rrënimi ekonomik por edhe nga dhuna në familje,
vrasjet me masakrim, sulmet për grabitje dhe maskat.

Jo vetëm mediat e huaja por dhe shumë intelektualë e politikanë të paformuar ia lënë barrën e
përgjegjësisë mentalitetit patriarkal të shoqërisë shqiptare duke mos dashur të pohojnë se kjo
dhunë që kulmon edhe ndaj grave e fëmijëve nuk ka asnjë lidhje me mentalitetin e shqiptarëve
apo me zakonet e tyre, siç deklarohen ata shpesh. Kjo dhunë, në të gjithë dimensionin e saj, është
dhunë tipike e një tranzicioni barbar, i udhëhequr e i orientuar nga një politikë e keqe pa vizion e
shpesh herë barbare. Shqiptarët nga një shoqëri e edukuar prej shekujsh me kulturën e ligjit e të
rregullit në komunitet janë shndërruar në një shoqëri me prirje destruktive, e korruptuar, e
përfshirë në krime e vetëgjyqësi pikërisht nga kjo politikë e keqe që luhet në kurriz të popullsisë
duke e detyruar atë të orientohet drejt vetgjyqësisë e krimit të të gjitha llojeve

Gjin Marku në ekspeditën e pajtimit
Akoma më e rëndë bëhet situata kur ballafaqohemi me zhvillimin intensiv të krimit të
paraportuar në Shqipëri e ila është në nivelet më alarmante që mund të ketë një shoqëri. Shoqëria
jonë në këto 23 vjet tranzicioni ka degjeneruar drejt krimit të fshehur jo vetëm nga qytetarët që
janë viktima por edhe nga qeveria e cila me demagogjinë propagandistike mbulon krimet dhe
korrupsionin. Vrasjet e organizuara nga shteti në periudhën midis vitit 1992-1996, ashtu si dhe
ato të vitit 1997, të vitit 2008 në Gërdec dhe të vitit 2011 para kryeministrisë, janë akoma të
pandëshkuara. Ndërsa në vendet e Ballkanit dhe të Europës krimet e raportuara janë nga 15 deri
në 40 %, në Shqipëri ky nivel është vetëm 2, 6 %. Edhe në këtë përqindje pala që ka denoncuar
është penduar për shkak të mosgjetjes së drejtësisë. Rastet e dhunës së padenoncuar prej vitesh
tek gratë e moshuara në Nartë apo tek gratë e masakruara javën e fundit, janë vetëm maja e
aisbergut të krimit që ndodh në Shoqërinë shqiptare. Kjo ndodh sepse kultura e mosdenoncimit
dhe e mosndëshkimit shfaqet sëpari tek përfaqësuesit e shtetit. Vetëm 1, 4 % e rasteve e
korrupsionit në qeveri janë denoncuar, 98, 6 % e këtij korrupsioni që është zhvilluar edhe në sytë
e publikut mbete i padenoncuar e i pandëshkuar. Edhe në ato pak raste kur është bërë denoncimi,
ky veprim ka rezultuar të jetë bërë për rivalitet në përfitimet brenda qeverisjes.
Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëta ka vendosur që me dt 4 shtator të thërrasë kongresin e katërt
të misionarëve të pajtimit ku do ketë një panoramë të plotë të situatës dhe strategjisë së tij duke
shpresuar se qeveria e re do bashkëpunojë për të ndryshuar gjendjen në Shqipëri. Janë të ftuar
mediat dhe komuniteti ndërkombëtar që të bëjnë përpjekjet maksimale për të sjellë në
vemendkjen e publikut këtë strategji të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar i cili është i vetmi
institucion me oponencë konstruktivee të sinqertë ndaj keqevrisjes që punon në pavarësi të plotë
nga politika për interesat e vendit dhe të integrimit të shqiptarëve në Bashkimin Europian.
Tiranë më 22 Korrik 2013