Republic of Albania
Nationwide Reconciliation Committee
National Assembly of Reconciliation Missionaries
Address: Rr. “M. Muça”, Pall. 46, Ap. 23, Tirana, Albania
Tel & Fax: 00355 4 2 263 126.
Tel: 00355 4 2 259 124 Mobil 00 355 68 27 37 989 00 355 69 32 38 786
web page: www.pajtimi.com
PARASHTRIME
Para institucioneve të shtetit shqiptar, Presidentit, Kuvendit të Shqipërisë, Gjykatës Kushtetuese dhe organeve të drejtësisë.
PËR PRISHJEN E MONOPOLIT
Mbi politikën, pasuritë kombëtare dhe tregun
PËR NJOHJE DHE BASHKËPUNIM
Parlamentit dhe Komisionit Evropian, Këshillit të Evropës, Senatit dhe Komisionit të Sigurisë së Kongresit të SHBA-së, Këshillit të NATO-s, Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Qëllimi: Mbrojtja e shqiptarëve, ndalimi i shfrytëzimit skllavërues, heqja e monopolit mbi politikën, pasuritë kombëtare dhe tregun.
Paragrafi I
MONOPOLI KA RRËNUAR DEMOKRACINË DHE KULTURËN E LIGJIT, DUKE SJELLË PËR SHUMË VITE MUNGESËN E DREJTËSISË ME PASOJA SHKATËRRIMTARE PËR VENDIN DHE JETËN E QYTETARËVE.
Pavarësisht anëtarësimit në NATO dhe hapave drejt integrimit në BE, gjendja e sotme ekonomike e shoqërore e shumicës së shqiptarëve është shumë e rënduar si pasojë e korrupsionit dhe mosfunksionimit të institucioneve të shtetit. Partnerët e Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, janë të vendosur të mbrojnë funksionimin e shtetit të së drejtës dhe këmbëngulin për vendosjen e drejtësisë, por braktisen nga politika. Shoqëria shqiptare vuan për shkak të monopolit mbi politikën, pasuritë kombëtare dhe tregun. 60% e qytetarëve mbahen prej 35 vitesh të varur nga emigracioni, sepse korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes, në administratën qendrore dhe lokale, ka lënë në gjendje të papranueshme pagën dhe pensionet. Shqiptarët trajtohen si skllevër nga një grup politikanësh dhe biznesmenësh që kanë bërë monopol politikën dhe shtetin. Monopoli mbi politikën ka krijuar monopolin mbi shtetin, tregun dhe pasuritë kombëtare, ka minuar demokracinë dhe shtetin e së drejtës, ka dhunuar shoqërinë dhe dinjitetin e njeriut, ka sjellë korrupsionin si kulturë, plaçkitjen e pronave dhe parave të publikut, depresionin në shoqëri, dhunën në familje dhe krimin e organizuar, konfliktet, vrasjet, vetëvrasjet dhe braktisjen e vendit nga shumica e qytetarëve. Partitë politike shqiptare, sipas opinionit publik, herë-herë duken si organizata ku gjejnë strehë individë dhe grupe të krimit të organizuar për vjedhjen e buxhetit të shtetit dhe pronave publike. Në luftën për pushtet, ato janë kthyer disa herë në organizime të dhunshme mbi institucionet, duke nxitur dhe luftën civile, por asnjëherë nuk janë gjykuar për veprimtaritë e tyre kriminale.
Paragrafi i Dytë
STATUSI JURIDIK I PARASHTRIMEVE
Parashtrimet bëhen nga Pleqësia e Lartë nën statusin juridik të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar. Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar u themelua në vitin 1990 nga akademikë dhe intelektualë të shquar, me qëllim parandalimin e konflikteve që lindën me pluralizmin politik në Shqipëri. Komiteti ka synuar ruajtjen e paqes, vëllazërisë fetare dhe barazisë gjinore, si dhe integrimin e shoqërisë shqiptare në Bashkimin Evropian. Themelimi i këtij komiteti gjeti mbështetjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, z. Perez de Kuelar, dhe Departamentit Amerikan të Shtetit që në vitin 1990. Në vitin 2002, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. James Jeffrey, i rikonfirmoi qeverisë shqiptare se Departamenti Amerikan i Shtetit mbështet Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar dhe strategjinë e tij për aplikimin e traditës në mbështetje të shtetit të së drejtës. Ky bashkëpunim u thellua nga Kryetarja e Dhomës së Kongresit të SHBA-së, znj. Nancy Pelosi, në vitin 2008, e cila shprehu interesimin për raportin e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar mbi ngjarjen tragjike të Gërdecit dhe marrëveshjen e fshehtë politike në Tiranë për t’ia përcjellë atë Komisionit të Sigurisë së Kongresit të SHBA-së. Kanë bashkëpunuar me Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar Organizata e Kombeve të Bashkuara, Prokuroria pranë Gjykatës së Hagës, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i OKB-së, Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Parlamenti Evropian, Zyra e Komisionit Evropian dhe OSBE-ja. Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për ndalimin e luftës civile në vitin 1997, që nxitej nga lidershipi politik. Misionarët e pajtimit ndaluan vajtjen e djemve nga veriu i Shqipërisë në jug për të luftuar kundër protestuesve, ndërsa në krye të Komitetit të Shpëtimit Publik, në qarkun e Lushnjes, populli zgjodhi përfaqësuesin e Kryesisë së Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, z. Pasho Uruçi, që ndaloi çdo lloj konfrontimi mes qytetarëve dhe mbrojti policinë e institucionet nga sulmet e organizuara.
Paragrafi i Tretë
DETYRIMI I KOMUNITETIT NDËRKOMBËTAR NDAJ SAKRIFICËS SË POPULLIT SHQIPTAR PËR PAQEN
Këto parashtrime bëhen pas konkluzioneve të nxjerra nga ekspedita dyvjeçare e misionarëve të pajtimit, Prill 2022-Maj 2024, e cila punoi në terren për promovimin e kulturës së ligjit dhe shtetit të së drejtës. Parashtrimet përkojnë me 80-vjetorin e fitores evropiane mbi nazizmin që solli tragjedinë më të madhe të njerëzimit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo fitore e rreshtoi popullin shqiptar në krah të Aleancës Perëndimore për lirinë dhe shtetin e së drejtës. Në lidhje me këtë fakt, Pleqësia e Lartë e Pajtimit Mbarëkombëtar rikonfirmon qëndrimin e saj se sakrifica e të rënëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe dita e fitores mbi nazizmin duhet të bashkojnë popullin shqiptar në rrugën e lirisë dhe demokracisë dhe të mos përdoren nga politika si përçarje midis shqiptarëve. Pleqësia e Lartë e Pajtimit Mbarëkombëtar sjell në vëmendje të Komunitetit Ndërkombëtar se tragjeditë e Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore erdhën si pasojë e padrejtësive që po luheshin në kurriz të popujve, veçanërisht të shqiptarëve. Pleqësia e Lartë e Pajtimit Mbarëkombëtar i drejtohet Komunitetit Ndërkombëtar që të marrë parasysh detyrimin që ka ndaj sakrificës së popullit shqiptar të cilin e ndanë në pesë shtete për interesat e disa fuqive të mëdha. Është detyrë e këtij Komuniteti Ndërkombëtar të vlerësojë sakrificën e këtij kombi që asnjëherë në histori nuk ka cenuar territoret e fqinjëve apo paqen në Evropë. Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar i ka kërkuar Bashkimit Evropian të shohë me përparësi mundësinë e kompensimit të dëmit me anë të financimeve në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe mjedis në të gjitha shtetet që kanë marrë territore shqiptare, sepse kështu do të përfitojnë edhe popujt e tjerë të rajonit. Dëmi i shkaktuar për më se një shekull ndaj shqiptarëve është qindra miliarda dollarë dhe asnjëherë nuk është shqyrtuar as nga politika e brendshme shqiptare dhe as nga Komuniteti Ndërkombëtar. Komuniteti Ndërkombëtar duhet të ulë shpenzimet për luftërat dhe t’i kthejë ato në investime për paqen, sepse asnjë fitore me luftë nuk sjell paqe. Pleqësia e Pajtimit Mbarëkombëtar është kundër çdo qëndrimi që nxit urrejtje, nacionalizëm, apo ndryshime kufijsh në Evropën e Bashkuar, por kërkon qëndrimin e drejtë të Bashkimit Evropian që shqiptarët të jenë të barabartë me popujt e tjerë të Evropës. Shqiptarët u sakrifikuan për paqen e Evropës, prandaj është detyrë e Evropës dhe e ish fuqive të mëdha ta vlerësojnë këtë sakrificë.
Paragrafi i Katërt
POLITIKA DHE SHTETI DUHET TË KENË NË THEMEL TRADITËN, VIRTYTIN, MORALIN DHE DREJTËSINË.
Shqiptarët në shekullin e 20 janë konsideruar si popull jo shtetformues kur ata trashëgonin modelin më të mirë të shtetit të së drejtës. Ata e kishin themeluar shtetin e tyre të së drejtës 800 vjet përpara Evropës si mjet paqeje dhe shërbimi të bazuar mbi virtytin, moralin dhe drejtësinë duke transmetuar një shembull unik të kulturës së ligjit. Arbrit nuk e pranuan asnjëherë që shteti të jetë mjet dhune. Arbrit e rregulluan jetën me kodet e tyre etike që nuk lidheshin me fenë, ideologjinë apo ligjet e pushtuesve, por vetëm me të drejtën, duke treguar se Mbreti i së Drejtës sjell Mbretninë e Paqes dhe lumturinë për qytetarët. Shteti i Arbrit u themelua në Mirditë, por u përhap në të gjithë Arbrit si zakon dhe kulturë e ligjit, duke ruajtur gjuhën, zakonet dhe identitetin kombëtar. Shteti i Arbrit udhëhoqi Mirditën për 800 vjet pa ushtri, polici e burgje, pa taksa dhe protesta, por vetëm me ndërgjegje dhe drejtësi. Ai organizim mbrojti lirinë dhe nevojën e qytetarëve për një jetë të sigurt, në paqe e thjeshtësi, në harmoni me natyrën dhe mjedisin, pa iu nënshtruar instinktit dhe egos për sundim e pasurim të padrejtë. Prijësit e arbrëve u shquan për thjeshtësinë dhe barazinë me qytetarët, ndërgjegjen e pastër si dhe përgjegjësinë e lartë për popullin. Shteti udhëhiqej sipas ligjeve dhe kodeve të përcaktuara nga kuvendet demokratike dhe pleqësia ku merrnin pjesë edhe vegjëlia. Liderët dhe pleqësia shërbyen pa asnjë përfitim dhe mbetën gjithë jetën të barabartë me qytetarët. Përfitimi i pasurisë nga prijësi dhe anëtari i pleqësisë dënohej rëndë, me djegien apo sekuestrimin e pronës si dhe leqitjen. Natyra dhe mjedisi ishin mbi gjithçka, të përcaktuara si “Miraja e Paprekshme” dhe “E Adhurueshme” që askush nuk mund ta keqpërdorte sepse ishte “E Mira e Përbashkët”. Drejtësia dhe e drejta janë zbatuar në mënyrë të barabartë për secilin qytetar pa dallim feje, gjinie, prejardhjeje apo pozite shoqërore. Shteti i Arbrit hyn në tre mrekullitë e njerëzimit. Azia krenohet me Budën (mrekullia e filozofisë dhe meditimit), Finlanda krenohet me Baba Natalen (mrekullia e ëndrrës dhe dashurisë së miliona fëmijëve), ndërsa shqiptarët krenohen me shtetin e tyre unik të së drejtës, Shtetin e Arbrit, ëndrra e përhershme e njerëzimit.
Paragrafi i Pestë
SITUATA NË SHQIPËRI ËSHTË NË KUNDËRSHTIM ME TRADITËN, SHTETIN E SË DREJTËS DHE KULTURËN E LIGJIT.
Nëse shqiptarët do të ruanin traditën e tyre për shtetin e së drejtës, nuk do të përjetonin ngjarjen tragjike të rrëzimit të qeverisë së Vlorës dhe vrasjen e kryeministrit të parë, Ismail Qemalit, nuk do të kishin një komision ndërkombëtar për të përcaktuar kufijtë, nuk do të kishin një lëvizje barbare si ajo e Haxhi Qamilit, nuk do të përjetonin tradhtitë e Esat Pashës dhe rrëzimin e shtetit demokratik të Fan Nolit, nuk do të kishte braktisje të vendit nga Mbreti dhe lejimin e pushtimit nazi-fashist të vendit, nuk do të kishte izolim 50-vjeçar nga diktatura dhe as një tranzicion 35-vjeçar rrënues për vlerat e njeriut, shoqërisë dhe pasurive të vendit. Në situatën e tanishme, për shkak të korrupsionit, institucionet e shtetit shqiptar nuk gëzojnë autoritet në popull. Politika herë-herë konsiderohet nocion i së keqes për qytetarët. Ligji dhe Kushtetuta janë zhvlerësuar nga keqpërdorimi. Klasa politike, edhe kur miraton ligje në përputhje me standardet evropiane, nuk i zbaton ato dhe as i implementon në shoqëri. Ligji kryesor për lirinë dhe jetën mbi tokën e pronat, hipotekën dhe legalizimet, është zvarritur e keqpërdorur prej 35 vitesh duke sjellë si pasojë vetëgjyqësinë, konfliktet dhe mijëra të vrarë për tokën dhe pronat. Çështjet gjyqësore zvarriten për shkak të korrupsionit dhe mungesës së gjyqtarëve. Në të gjitha gjykatat krijohen stogje me dosje për mungesë gjyqtarësh dhe prokurorësh. Ato mund të shqyrtohen vetëm pas disa vitesh kur ka kaluar afati dhe vendimi nuk ka më dobi apo efekt. 40% e qytetarëve nuk shkojnë në gjykata por kërkojnë zgjidhje nga pleqësia e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar. Të gjitha vendimet e pleqësisë së pajtimit pranohen nga palët, ndërsa vendimet e gjykatave kanë sjellë si pasojë 4200 të vrarë. Krimi i vjedhjes së parave të shtetit është kthyer në sistem që ushqen edhe krime të tjera ekonomike ndaj pronës publike dhe mjedisit. Trafikimi i ligjeve në parlament ka krijuar monopolin mbi tregun, politikën dhe pasuritë e vendit. Klasa aktuale politike perceptohet nga populli se punon vetëm në interes të sundimit dhe përfitimit personal të një grupi të ngushtë të lidhur me lidershipin politik dhe familjen e tij. Anëtarësia e partive politike, e futur në administratë, nuk është e ndërgjegjshme për përgjegjësinë ndaj qytetarëve. Partitë politike që duhet të jenë aset i çmuar i kombit janë kthyer në grupime që nuk aspirojnë demokracinë, drejtësinë dhe lumturinë e vendit, por interesin e ngushtë të sundimit në pushtet. Çdo qytetar shqiptar e ka shumë të vështirë të mendojë se mund të bëhet pjesë e zgjidhjes së problemeve me pjesëmarrje në politikë apo me votën e tij, sepse shteti dhe politika janë nën ndikimin negativ të një pakice të fuqizuar që ka monopolizuar partitë politike. Partitë politike kanë gjeneruar vazhdimisht urrejtjen mes qytetarëve, nxitjen e konflikteve dhe vrasjet.
Paragrafi i Gjashtë
MONOPOLI MBI POLITIKËN DHE TREGUN KA KRIJUAR VAZHDIMISHT MANIPULIMIN E VOTIMIT, SHITBLERJEN E VOTAVE DHE DEFORMIMIN E PROCESIT ELEKTORAL.
Pas 35 vjet tranzicioni, mbi 50% e votuesve nuk marrin pjesë në votime, nuk përfaqësohen në parlament apo këshillat bashkiake, sepse kanë parë se votat manipulohen nga stafet e partive politike që kanë monopolin. Partitë politike parlamentare, për të ruajtur monopolin, miratojnë ligje elektorale në favor të deputetëve të preferuar të liderit partiak nëpërmjet listave të mbyllura pa konkurrencë. Kjo gjë ka krijuar edhe monopolin mbi politikën dhe tregun. Rreth 200,000 djem e vajza, që kanë mbaruar me nivel të mirë arsimin e mesëm dhe të lartë, kanë emigruar jashtë vendit sepse tregu në Shqipëri është monopol i individëve të lidhur me qeverinë dhe partitë politike. Mediat nuk kanë mundur ta lëvizin shoqërinë përpara edhe pse kanë përparuar në llojshmëri dhe profesionalizëm. Një pjesë e tyre janë nën kontrollin e lidershipit politik që ka monopolin dhe i financon ato. Inteligjencia shqiptare e afirmuar për nivelin e saj të lartë në shkallë botërore vazhdon të mbetet e zhgënjyer dhe pa interes për të punuar në Shqipëri. Partitë politike aktuale kanë korruptuar krerët e lëvizjeve sindikaliste që duhet të kundërshtojnë monopolin mbi tregun. Forumet e grave dhe të rinjve në këto parti korruptohen nga lideri i partisë ku aderojnë dhe keqpërdoren. Tregu i të gjitha llojeve të produkteve vendase po falimenton, jo vetëm nga monopoli, por dhe nga konkurrenca e mallrave të importuara që kanë lidhje me përfaqësuesit e monopolit në treg. Fatkeqësisht, komuniteti ndërkombëtar nuk i ka analizuar me objektivitet partitë politike shqiptare, të cilat nuk kanë mision, nuk udhëhiqen nga parime demokratike dhe nuk reformohen brenda tyre. Komuniteti Ndërkombëtar duhet të mbështesë kontrollin e publikut dhe të institucioneve të drejtësisë mbi veprimtarinë e kundërligjshme të partive politike dhe lidershipit të tyre dhe të ndihmojë për hetimin e të gjithë individëve të inkriminuar në organet e zgjedhura ligjvënëse dhe ligjzbatuese, pa përjashtim, deri tek drejtuesit e lartë të partive politike, të qeverisë dhe të shtetit. Monopoli mbi politikën dhe qeverisjen e vendit ka ngritur zyra formale auditi brenda dikastereve me punonjës që emërohen nga ministri ose drejtuesi i dikasterit me qëllim mbulimin e abuzimeve dhe vjedhjeve. Ato i kanë shërbyer deri tani fshehjes së korrupsionit dhe vjedhjes së parave të buxhetit nëpërmjet raporteve audituese që kontrollohen nga ministri ose drejtuesi i dikasterit. Populli është me drejtësinë dhe kërkon ndëshkimin e krimit deri në nivelet e larta, por kjo kërkesë e popullit braktiset nga përfaqësuesit e partive politike që punojnë kundër reformave dhe drejtësisë.
Paragrafi i Shtatë
PARTITË POLITIKE DUHET TË MBAJNË PËRGJEGJËSI PARA LIGJIT PËR DËMET NDAJ SHTETIT DHE SHOQËRISË.
Partitë politike kanë detyrimin kushtetues të mbrojnë demokracinë dhe shtetin e së drejtës, buxhetin e shtetit që është mundi, djersa dhe gjaku i fëmijëve të popullit, të ngrenë ekonominë dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve dhe të garantojnë lumturinë e tyre, por kanë vepruar në kundërshtim me këtë detyrë. Ato e kanë shkelur me vullnet të plotë besimin e popullit dhe nuk i vret ndërgjegjja për këtë, sepse kanë bërë ligje dhe vendime për të mos marrë përgjegjësi por për të përforcuar pozicionin e tyre sundues. Në Kuvendin e Shqipërisë ka parti që janë shitur dhe blerë nga individë që kërkojnë të pastrojnë vetveten nëpërmjet prezencës në qeveri. Partitë politike nuk janë hetuar dhe gjykuar deri tani si çdo organizatë tjetër, person juridik apo fizik, edhe pse duhet të gjykohen, të dënohen dhe të dalin jashtë ligjit kur nuk përmbushin detyrën, kur përfshihen në veprimtarinë e plaçkitjes së buxhetit të shtetit dhe të pasurive kombëtare, në mashtrimet elektorale dhe trafikimin e ligjeve, në vendime të qeverisë apo këshillave bashkiake të korruptuara. Ato nuk janë gjykuar asnjëherë për këto vendime, as për dhunën ndaj institucioneve dhe vrasjen e qytetarëve në luftën për marrjen apo mbajtjen e pushtetit. Nëpërmjet prezencës dhe vendimmarrjes në parlament partitë politike kanë mbajtur nën presion dhe kontroll drejtësinë. Reforma në drejtësi, e mbështetur nga partnerët kryesorë të Shqipërisë, SHBA dhe BE, ka zgjuar shpresën tek qytetarët, por organet e reja të drejtësisë sulmohen në publik dhe mbrapa shpine nga përfaqësuesit e korruptuar politikë. Reforma nuk është përmbushur, nuk mbështetet me mjetet e duhura financiare, as me burimet njerëzore dhe infrastrukturën e kërkuar. Drejtësia vazhdon të mbetet nën presionin e dy faktorëve rrënues, politikës dhe krimit të organizuar, të cilët bashkëpunojnë kundër kësaj drejtësie.
Paragrafi i Tetë
MBI DISA REFORMA LIGJORE DHE INSTITUCIONALE SI DOMOSDOSHMERI PËR PRISHJEN E MONOPOLIT
Pleqësia e Lartë e Pajtimit Mbarëkombëtar fton Presidentin e Shqipërisë, Kuvendin e Shqipërisë, Qeverinë shqiptare dhe Gjykatën Kushtetuese që me vetë-iniciativë e bashkëpunim të reformojnë ligjin për partitë politike. Në ligj të përcaktohet qartë përgjegjësia e organizatave politike, e udhëheqësve të tyre dhe e deputetëve para ligjit për mashtrimet ndaj popullit, shpërdorimin e buxhetit të shtetit, vjedhjen e taksave dhe për të gjitha punët publike që janë paguar nga buxheti i shtetit dhe nuk janë kryer si duhet. Të përcaktohet me ligj procedimi penal për të gjithë anëtarët e vendimmarrjeve korruptive të Këshillit të Ministrave, këshillave bashkiake etj. Përfaqësuesit e zgjedhur, deputetët dhe anëtarët e këshillave bashkiake, si dhe drejtuesit e shtetit të çdo niveli, të mos kenë asnjë lloj imuniteti para ligjit për vendimmarrjet e tyre që bien në kundërshtim me interesin publik dhe favorizojnë monopolin. Të reformohet Kodi Penal që korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës, me pasojë vjedhjen e buxhetit të shtetit, të dënohen sipas dëmit të shkaktuar me dënime maksimale jo më pak se 25 vite burgim dhe të përjashtohen nga parashkrimi i veprës penale. Të rritet financimi dhe të sigurohen burimet njerëzore të organeve të reja në drejtësi. Zyrat e auditit, të cilat deri tani i shërbejnë më shumë justifikimit të abuzimit me buxhetin e shtetit sesa kontrollit, të shkëputen nga varësia e drejtuesve të dikastereve dhe t’i kalojnë në shërbim Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK-ut. Të përcaktohet me ligj që të kalojë në shërbim të institucioneve të reja të drejtësisë Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Instituti i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Buxheti i zyrave të auditit, i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe i Institutit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është buxhet që deri sot ka qenë jo efikas dhe i ka shërbyer korrupsionit, prandaj të vihet në shërbim të drejtësisë. Pleqësia e Lartë e Pajtimit Mbarëkombëtar fton qeverinë dhe ligjvënësit të reformojnë dikasterin e Ministrisë së Drejtësisë. Drejtësia nuk mund të ketë ministër sepse si emërtim është në kundërshtim me parimin e drejtësisë. Drejtësia është e pavarur dhe nuk ka ministër. Qeveria mund të ketë një agjenci të shërbimeve ndaj drejtësisë por jo të quajtur Ministria e Drejtësisë. Sipas modelit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ministri i Drejtësisë njihet me funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm, krejtësisht i pavarur nga qeveria. Është e nevojshme që në Shqipëri të miratohet me ligj veprimtaria e prokurorit privat për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve, për zbulimin e krimeve ndaj tyre dhe ndaj shtetit, për zbulimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, lidhjeve të krimit me politikën duke ruajtur fshehtësinë e denoncimeve. Të përgatitet dhe të miratohet ligji për kontrollin e pasurive si dhe vetingun e politikanëve, të deputetëve dhe biznesmenëve që përfitojnë nga tenderat me buxhet shtetëror. Të përgatitet dhe të miratohet ligji për kontrollin dhe hetimin e shpenzimit të parave nga të gjitha tenderat dhe projektet e kryera deri tani me buxhetin e shtetit. Pasuritë e krijuara me paratë e buxhetit të shtetit të sekuestrohen dhe t’i kthehen shtetit dhe popullit. Vlerat monetare të sekuestruara t’u kthehen qytetarëve nëpërmjet kompensimit të dëmit për çdo qytetar, rritjes së pensioneve dhe pagave, të cilat duhet të ishin jo më pak se 500 euro për pensionet dhe 1000 euro për pagën minimale, po të mos ishte vjedhur buxheti i shtetit.
Paragrafi i Nëntë
PËR NDALIMIN E TERRORIZMIT DHE FONDAMENTALIZMIT NË TERRITORET SHQIPTARE
Pleqësia e Lartë e Pajtimit Mbarëkombëtar, e themeluar për drejtësinë dhe paqen mes qytetarëve, për bashkëjetesën, barazinë gjinore dhe integrimin në Evropën e Bashkuar, shpreh indinjatën e thellë për vrasjet e qytetarëve të pafajshëm në Shqipëri dhe kudo në botë nga mungesa e shtetit të së drejtës, nga luftërat dhe terrorizmi. Në këtë moment të vështirë për gjithë njerëzimin, Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar sjell në vëmendje të komunitetit ndërkombëtar faktin që shqiptarët nuk mund të lejojnë që në territoret e tyre të praktikohet terrorizmi sepse kanë kultivuar dhe ruajtur prej shekujsh vlerat e vëllazërisë fetare, paqes, lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar ka theksuar vazhdimisht se terrorizmi dhe fondamentalizmi ushqehen nga ideologji barbare, ekstreme dhe të papranueshme nga popujt e botës. Besimtarët e çdo feje, kurrsesi, nuk mund të jenë shkak i lindjes së urrejtjes dhe këtij terrorizmi që po shfaqet mbi njerëzimin. Në territorin shqiptar janë shfaqur akte tragjike të dhunës që kulmuan në vitin 1997 duke lënë të vrarë mbi 3000 qytetarë, përfshirë gra dhe fëmijë të pafajshëm. Vrasjet për gjakmarrje dhe hakmarrje në këto 35 vite tranzicioni kanë kaluar shifrën e 15,000 viktimave. Më tragjike mbetet dhuna e përditshme në familje, me vrasjet e grave dhe vajzave, të cilat nuk i përkasin kulturës sonë qytetare. Nga kultura e re e terrorit, gratë dhe vajzat mbeten të kontrolluara nga burrat dhe djemtë në familje, të pabarabarta në shoqëri, vendimmarrje dhe biznes, në kundërshtim me traditën. Që nga Princesha Teuta, treqind vjet para Krishtit, e deri sot, gratë dhe vajzat shqiptare kanë gëzuar lirinë dhe të drejtat e barabarta me burrat pa iu nënshtruar patriarkalizmit apo dogmave të tjera që janë shfaqur gjatë tranzicionit postkomunist. Gjatë pushtimit 500-vjeçar otoman, kombi shqiptar ruajti me dashuri dhe përkushtim zakonet dhe kulturën për mbrojtjen e barazisë gjinore dhe vëllazërisë fetare, por kjo kulturë është deformuar nga krimi i organizuar i trafikantëve të femrave, drogës dhe armëve, që kontrollojnë tregun dhe mbajnë lidhje me eksponentë të politikës. Historia dëshmon se çdo kohë dhe në të gjitha territoret shqiptare, nga qytetari i thjeshtë deri tek prijësit, si Ali Pashë Tepelena, Ismail Qemali dhe Ahmet Zogu, krijuan jetën e lumtur të burrave myslimanë me bashkëshorte të krishtera dhe anasjelltas, por sot shfaqen mijëra raste që vajzat shqiptare dhunohen nëse kanë lidhje dashurie me djem të fesë tjetër dhe anasjelltas. Kjo situatë vjen si shkak i formacioneve radikale dhe rrymave që kanë deformuar traditën zakonore. Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar i ka konsideruar vrasjet e shumta pas rënies së komunizmit si vrasje barbare dhe shkelje e të gjitha rregullave kanunore, por ka gjetur kundërvënie nga grupet radikale të krimit të organizuar dhe terrorizmit që organizojnë braktisjen e procesit të pajtimit duke kryer edhe vrasjen e fshehtë të prijësve dhe misionarëve të pajtimit nga viti 1997 deri në vitin 2012. Deformimi dhe keqinterpretimi i kanunit është vepër e terrorizmit dhe krimit të organizuar për të nxitur gjakmarrjen dhe ngujimet duke i predikuar ato si veprime kanunore. Përballë kësaj lufte të nendheshme të terrorizmit, Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar ka punuar me përkushtim për përhapjen e kulturës së ligjit dhe promovimin e traditës në mbështetje të shtetit të së drejtës, duke bërë të mundur ndalimin e mbi 60% të vrasjeve. Nëse nuk do të ishte Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar dhe misionarët e tij të pajtimit, që punojnë në mënyrë vullnetare në çdo fshat dhe qytet të vendit, sot do të ishin mbi 100,000 viktima të vrasjeve barbare nga mentaliteti i deformuar kanunor. Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar ka bashkëpunuar me shumë sukses me komunitetet fetare në Shqipëri, veçanërisht me atë mysliman, në procesin e pajtimit. Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar ka theksuar se është fat për Shqipërinë dhe shqiptarët ekzistenca e Komunitetit Mysliman, sepse myslimanizmi shqiptar ka spikatur për vlerat e tij paqësore para gjithë njerëzimit. Ai duhet të inkurajohet për t’u bërë udhëheqësi botëror i Islamit, ashtu siç është bërë bektashizmi shqiptar, prandaj duhet të mbrohet jo vetëm nga populli dhe shteti shqiptar, por edhe nga Bashkimi Evropian dhe Aleanca e Paqes kundër terrorizmit. Pleqësia e Lartë e Pajtimit Mbarëkombëtar i kërkon Komunitetit Ndërkombëtar dhe qeverisë shqiptare të zbulojnë dhe dënojnë grupet kriminale dhe individët që punojnë për terrorizmin kundër procesit të pajtimit dhe prishjes së imazhit të udhëheqësve të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar me dezinformime dhe montazhe në internet.
Paragrafi i Dhjetë
APLIKIMI I TRADITËS NË MBËSHTETJE TË SHTETIT TË SË DREJTËS, DETYRË E INSTITUCIONEVE TË SHTETIT SHQIPTAR DHE BASHKIMIT EVROPIAN.
Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ruajtur me përkushtim vlerat e traditës ligjore në mbështetje të shtetit të së drejtës. Në Shqipëri nuk është bërë sa duhet për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë për kulturën e ligjit dhe shtetit të së drejtës. Rregullat dhe ligji në demokracinë arbërore ishin të shenjta sepse ishin të drejta. Ato shkruheshin në mure dhe pllaka guri në anë të rrugëve të Arbërisë për t’i pasur në qendër të vëmendjes. Për ruajtjen e kësaj vlere historike, në shekullin e 19-të, arkeologët austriakë i vendosën mbishkrimet e Stemës së Arbërit në muret e Kishës së Shën Marisë së Arbërit, në oborrin e së cilës u krijua shteti i parë i së drejtës, pa ushtri, polici dhe burgje, por vetëm me ndërgjegje dhe drejtësi. Arbërit e Ilirisë, edhe pse i përkisnin kulturës pagane, e mirëpritën Apostullin Pal 40 vjet pas vdekjes së Krishtit, kur ai u foli mbi sakrificën dhe flijimin e Jezu Krishtit dhe për qëndrimin e nënës së tij Maria, që përballë tiranisë dhe çdo torture nuk e braktisi të birin. Arbërit e pranuan Shën Marinë si simbol të dashurisë dhe sakrificës së nënave, vajzave dhe bashkëshorteve të tyre duke i dhënë dritë dhe dimension hyjnor barazisë gjinore. Fatkeqësisht, këto vlera të shtetit të së drejtës dhe Kisha e Shën Marisë së Arbërit janë lënë jashtë vëmendjes dhe promovimit. Kisha e Arbërit është e vetmja kishë në Evropë që zhveshi velin hyjnor dhe u bë pjesë e kuvendeve qytetare. Kjo kishë i mbështeti arbërit nën pushtimet shekullore për të ruajtur shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës: gjuhën, territorin, bashkëjetesën dhe rregullin ngadhnjimtar të komunitetit, pa iu nënshtruar sundimit. Në historinë e njerëzimit, asnjë institucion fetar nuk ka mundur të luajë ndonjë rol për shtetin e së drejtës, të barazisë dhe virtytit si dhe për vëllazërimin mes feve, siç e bëri kjo kishë kur derdheshin lumenj gjaku midis kombeve me fe të ndryshme. Fatkeqësisht, ky rol dhe kjo kishë janë lënë në hije. Gjithë perëndimi dhe lindja islame dhuruan donacione për rimëkëmbjen e Kishës së Shën Marisë së Parisit, e shquar nga luksi si mijëra tempuj të tjerë, që nuk luajti ndonjë rol as mori përsipër misionin e Kishës së Shën Marisë së Arbërit, e thirrur si Kisha e Gjithë Njerëzimit. Në vitin 1993 kryeministri Aleksandër Meksi e vizitoi këtë Kishë dhe u interesua për restaurimin e saj së bashku me muzeun e Arbërit, por projekti nuk u realizua as është ndjekur nga deputetët e zonës apo kryetarët e bashkisë së Mirditës. Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar, krahas pajtimit të familjeve në hasmëri, ka organizuar vazhdimisht takime kombëtare dhe ndërkombëtare për mbrojtjen dhe promovimin e kulturës së ligjit dhe trashëgimisë së arbërve në mbështetje të shtetit të së drejtës. Në vitin 2014, me rastin e 800-vjetorit të Shtetit të Arbërit, ky komitet zhvilloi në Tiranë një takim shkencor mbi Arbërinë si Tempull i së Drejtës. Akademikë të huaj propozuan që në mjedisin natyror të Kryeqendrës së Arbërit të thirret Konferenca Ndërkombëtare: Mbi Mbretërimin e së Drejtës për Mbrojtjen e Paqes dhe Jetës së Njerëzimit. Konferenca u bë realitet më 9 dhe 10 tetor 2023, me pjesëmarrjen e 22 studiuesve të huaj dhe 40 akademikëve shqiptarë. Në konferencë u kërkua që:
- Data 25 maj e çdo viti të jetë Dita e Takimit me Demokracinë, Paqen dhe Lumturinë e Shtetit të Arbërit, ku të ftohen për bashkëbisedim udhëheqësit politikë, përfaqësuesit e shtetit, të trupit diplomatik, deputetë, gjyqtarë, prokurorë, studentë dhe qytetarë nga vende të ndryshme të botës.
- E Diela e Parë e Tetorit, që përkon me ditën e Shën Marisë së Arbërit, të shpallet Festë Mbarëkombëtare për shqiptarët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Kosovës.
- Qeveria Shqiptare të restaurojë Kishën e Shën Marisë së Arbërit, të ngrejë muzeun në 5 dhomat shtesë të saj, të ndërtuara për këtë qëllim që në vitin 1993, me kontributet e kishave perëndimore, si dhe të sistemojë sheshin para saj.
- Qeveria të riparojë me themel rrugën kombëtare që të çon tek kjo Kishë, e cila është një nga rrugët më atraktive për turistët dhe një rrugë dytësore strategjike e NATOS.
Për kërkesat e mësipërme në këto parashtrime dhe të kësaj Konference Ndërkombëtare, shprehim besimin për angazhimin e institucioneve shqiptare dhe Komunitetit Ndërkombëtar për ndryshimin, përmirësimin e situatës dhe integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.