Nr 7 / 8 Prot Dt 12 Janar 2023
Lënda: Konferencë Ndërkombëtare: Mbi Mbretërimin e së Drejtës për Mbrojtjen e Paqes dhe Jetës së Njerëzimit.
Drejtuar Deputetëve Shqiptarë
Të nderuar deputetë
Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar u drejtohet me mirënjohje të thellë për përpjekjet që bëni në mbrojtje të paqes e përparimit të vendit. Por pavarësisht përpjekjeve të pa fund të njerëzve vullnetmirë, vendi ynë dhe mbarë njerëzimi po përballen me tendenca befasuese, vuajtje e padrejtësi, me luftra e pasiguri për jetën. Feja dhe Shteti, me gjithë përpjekjet ndër shekuj, nuk kanë mundur të garantojnë paqen e lumturinë, as të ardhmen e jetës në planet. Kjo ka ndodhur për shkak se nuk ka sunduar Arsyeja, e drejta dhe Drejtësia. Sundimtarët i kanë përdorur fenë e shtetin si mënyrë jetese, mjet sundimi e jo zgjidhje për sigurinë e lumturinë e njerëzimit.
Përvoja jonë si shqiptarë na bind se Mbretërimi i së Drejtës sjell Mbretërimin e Paqes dhe lumturinë për qyetatarët, mbron lirinë dhe të drejtën e tyre për një jetë të sigurtë, në harmoni me natyrën dhe mjedisin, në paqe e thjeshtësi, pa iu nënshtruar instiktit e egos për sundim. Për qindra vjet shqiptarët e kanë rregulluar jetën me kodin e tyre etik që nuk lidhej me fenë e shtetin por me Të Drejtën. E Drejta ka zënë vend dhe është zbatuar pa dhunë, pa ushtri, polici e burgje. Etika e sjelljes mësohej që në moshën e fëmijërisë dhe zbatohej me ndërgjegje si ndaj shoqërisë edhe ndaj mjedisit. 800 vjet më parë Arbëria ishte tempull i së drejtës. Themeluesit e parë të shtetit të Arbërisë, Progoni e bijtë, Gjini e Dhimitri, – 1190 – 1215, e udhëhoqën vendin sipas zokoneve dhe kodeve etike të përcaktuara nga kuvendet demokratike e pleqësia, ku merrnin pjesë edhe vegjëlia. Demokracia nën udhëheqjen e Pleqësisë ishte bërë lejtmotiv e simbol i shenjtë për jetën. Për rëndësinë dhe lartësinë e saj Pleqësia e meritoi plotësisht titullin e asaj kohe “Gjyqtar” që lakmohej si titull edhe nga Princërit dhe Mbretërit, por jo çdo njëri prej tyre mund ta fitonte atë nga populli.
Vendimet e pleqësisë e kodet etike të Arbërit shpesh herë gdhendeshin në dru, gurë e pllaka që shfaqeshin në Kryeqendrën ku kishin selinë Progoni e bijtë, Gjini e Dhimitri, në Gëziq – Ndërfandinë, MIRDITË. E Drejta ngulitej në dërgjegje duke e bërë çdo njeri të dobishëm për komunitetin, bamirës e sakrifikues, kundërshtues i çdo sjellje të keqe a përfitimi të pa drejtë. Liderët dhe pleqësia u shërbyen njerëzve pa asnjë përfitim dhe mbeteshin gjithë jetën të barabartë me të varfërit, në nivelin minimal të jetesës. PËRFITIMET SI LIDER kishin pasoja të rënda, dënoheshin jo vetëm me largimin nga përfaqësimi por dhe me DJEGJEN E SHTËPISË A TË PRONËS. Në kodin etik të shqiptarëve njeriu duhet të jetojë i barabartë e të përparojë vetëm mbi bazën e aftësisë, mundit e djersës së tij. Edhe në ndëshkimet për jetën njerëzit ishin të barabartë pa marrë parasyshë hierarkinë, të metat apo vlerat individuale. “Si Gjaku i të mirit dhe i të keqit” thotë etika Kanunore. Gjakmarrja i nënshtrohej vetëm së drejtës ose pajtimit e faljes. Ajo nuk përjashtonte kurrë prijësat, as i favorizonte ata me falje për hir të hierarkisë në shoqëri. Nderimi mortor ishte i barabartë për të gjithë dhe përbuzej nderimi i çdo prijësi nëse bëhej më tepër se i qytetarëve të zakonshëm. Këngët e vajit që vazhdojnë edhe sot në Mirditë i drejtohen trupit të pa jetë të çdo individi me të njejtin nderim, dhimbje e dashuri, duke e thirrur: – “Vëllai i mirë i imi”, “Motra e mirë e imja”, “Miku i mirë i imi”, ose – “Gjyqtar i Venduem” apo “Gjyqtarja e Vendueme”, nëse ai/ajo ishte shquar për udhëheqje e drejtësi në komunitet.
Vetëm natyra e mjedisi ishin mbi gjithëçka, të privilegjuara e të përcaktuar si “MIRAJA E Paprekëshme” “E ADHURUESHME” që asnjeri nuk mund ti keqpërdorte sepse ishte “E MIRA E PËRBASHKËT”. Kanuni ndalonte çdo ide që nxit urrejtje ndërfetare, shovinizëm, racizëm, nacionalizëm, ksenofobi e luftë. Siç e dimë, çdo udhëtar i huaj gjente kujdes e mbrojtje në shtëpinë e shqiptarit sepse ishte përcaktuar qartë në kodin e lashtë: – “Shtëpia e Shqiptarit e Zotit dhe Mikut”. Nëse miku sulmohej apo kërkohej për ta dorëzuar, shqiptari do sakrifikonte jetën për mbrojtjen e tij sepse e impononte neni themelor i Kanunit, BESA. Kështu u mbrojt çdo Hebre në tokën shqiptare gjatë luftës së dytë botërore, gjë për të cilën ndjehemi krenarë para gjithë njerëzimit. Pak vite mbas kryqëzimit të Krishtit, shqiptarët paganë, të lidhur vetëm me të drejtën, e pranuan Shën Palin, apostullin bashkohës e bashkudhëtar të Jezusit, për të ngritur Kishën e krishtit në tokat ILIRE si vlerësim për sakrificën e përkushtimin e Jezusit ndaj së drejtës e drejtësisë. Kanuni i besoi sakrificës për drejtësi të Jezusit dhe çdo heroi fetar që kishte qëllim të mirë ndaj njerëzimit. Ky qëndrim i arsyeshëm e i drejtë solli bashkëpunimin e përhershëm të shqiptarëve me fetë që në përgjithësi u detyruan ti pranonin tagrat KANUNORE. Edhe tek e drejta e divorcit, të cilën Kishat e Xhamitë dogmatike të botës vazhdojnë të mos e pranojnë as sot, shqiptarët vendosën kodin e tyre etik mbi fenë. Kanuni thoshte:- “E drejta e divorcit i takon si burrit dhe gruas, Feja në punë të vet”.
Në Kanunin e Arbërit gruaja e vajza vlerësoheshin të barabarta me djemtë e burrat në të gjitha aspektet e jetës, prandaj Shqiptarët e vlerësuan, e deshën dhe e adhuruan Shën Marinë për përkushtimin dhimbjen e mbështetjen që ajo i dha të birit në rrugën e sakrificës për të drejtën. Prijësit e Arbërit, Mbreti Progon e bijtë, Gini e Dhimitri, jo më kot i lanë të gdhendura në gurë e memorien njerëzore shkrimet për udhëheqjen e njerëzimit, pavarësisht se një pjesë u zhdukën nga pushtimet barbare që udhëhiqeshin nga prijës mizorë. Për ruajtjen e kësaj vlere historike, në vitin 1910, arkeologët austriakë i vendosën një pjesë të gurëve me mbishkrimet dhe Stemën e Arbërit në muret e Kishës së Shën Marisë në kryeqendrën e Arbërit, Gëziq-Ndërfandinë të Mirditës, duke e cilësuar atë si Kisha e së Drejtës dhe e Mbrojtjes, sepse i doli krah çdo qytetari pa dallim feje, kombësie e krahine kur ai kishte të drejtë. Kjo Kishë e Thjeshtë, pa ar e shkëqim, merr një rëndësi shumë të madhe për mbarë njerëzimin. Banorët e kësaj kryeqendre i kanë mbrojtur me heroizëm këto dëshmi e transmetuar brez pas brezi. Në vitin 1966, gurët e kësaj kishe me mbishkrimet dhe stemën e Arbërit iu dorëzuan Akademisë së Shkencave dhe Muzeut Historik Kombëtar ku ndodhen edhe sot. Nën frymëzimin e kësaj Kishe është ruajtur me sakrificë të jashtëzakonshme edhe Shtatorja Unikale e Shën Marisë, që në vitin 1990 iu dorëzua muzeut historik kombëtar e sot ndodhet në Katedralen e Shën Palit në Tiranë.
Fatkeqësisht lëvizja e këtyre dëshmive nuk i dha rëndësinë e duhur historisë së Shtetit të Arbërit, as Kryeqendrës së tij, edhe pse aty ishte selia e Prijësit Progon dhe bijve GJINI E DHIMITRI, 1190-1215. Kështu u la në hije filozofia dhe mundi i Arbërve për modelin shtetit të së drejtës dhe udhëheqjen e tij, që buronte nga demokarcia gjithëpërfshirëse e besimi qytetar. Për faktin e udhëheqjes së drejtë, në vitin 1213, Progoni e biri, Princi Dhimitër, qenë shpallur edhe nga Selia e Shenjtë me titujt më të lartë të Kohës, gjyqtar e Gjykatës i Lartë, siç ua kishte dhënë me meritë populli i Arbërisë. Edhe pse Populli Shqiptar i ka ruajtur deri në ditët e sotme kodet etike të Arbërisë, nuk është bërë si duhet promovimi i tyre as në aspektin historik e as në mbështetje të shtetit të së drejtës. Pas rënies së sistemit Komunist, pati një interesim të vecantë të kryeministrit Alksandër Meksi për restaurimin e kësaj Kishe me gurët e mbishkrimet e mëparshme si dhe ndërtimin e Muzeut të Arbërit pranë Saj, por për mungesë fondesh të asaj kohe e neglizhencës së deputetëve dhe drejtuesve vendorë ato nuk u realizuan as nga Qeveria, as nga Bashkia e Mirditës. Pak kohë më parë njerëzimi u trondit nga djegja e Kishës së Shën Marisë, Notre Damë De Pary, në Francë, dhe gjithë perëndimi e lindja islame dhuruan donacione për rimëkëmbjen e saj. Shqiptarët nuk kanë asnjë arsye të mos e mbrojnë e ngrenë para njerëzimit kontriburin e Kishës së Shën Marisë së Arbërit, që nuk shkëlqeu nga Ari e Luksi por si Kishë e së Drejtës, që u bë njësh në Kuvendet Arbërore me qytetarët e thjeshtë. Ajo ishte jo vetëm mbrojtëse e themeleve të Shtetit të së drejtës por vatra kryesore e mikpritëjes së çdo qytatari apo karvani nga të gjitha fetë, krahinat apo perandoritë e lindjes e perëndimit sepse ndodhej në anë të rrugës kryesore të pellazgëve, midis orientit dhe oksidentit. Ajo nuk u shfaq asnjëherë si “Kishë e Sundimit Hyjnor” por si një kasolle bujare ku strehohej e gjente bukën të shtruar çdo udhëtar vendas apo i huaj. Përvoja jonë si komb perëndimor dhe i kulturës së ligjit është mbuluar nga propaganda keqëdashëse që kërkon të na paraqesë si popull barbar e jo shtetformues.
Sot lind nevoja që kjo përvojë historike dhe këto dëshmi të promovohen e të vizitohen. Në vitin 2014, pikërisht me rastin e 800 vjetorit të Shtetit të Arbërit, Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar zhvilloi në Tiranë një konferencë shkencore mbi këtë tempull të së Drejtës dhe shtetformimit. Akademikët propozuan që në mjedisin natyror të kësaj Kishe Simbol të thirret një Konference Ndërkombëtare: Mbi Mbretërimin e së Drejtës për Mbrojtjen e Paqes dhe Jetës së NJerëzimit. https://www.youtube.com/watch?v=OLUu2MDKGJI
Akademia e shkencave ka pranuar rolin kryesor duke i dhënë karakterin shkencor konferencës dhe janë përcaktuar referuesit. Studjuesit nga vende të ndryshme të botës janë gati. Për rëndësinë që ka kjo konferencë e shohim të arsyeshme që ajo të zhvillohet në një standart të lartë ku do promovohen vlerat e etikës shqiptare si bazë e demokracisë, shtetformimit dhe kulturës së ligjit. Pjesmarrja dhe kontributi Juaj si deputetë në këtë konference është detyrim moral e ligjor. Siç keni meritat e punëve të mira dhe shpesh herë meritoni titullin “Gjygjtar i Venduem”, jeni përgjegjësit kryesor para popullit për dobësitë e shtetit të sotëm dhe mosfunksionimin e institucioneve, për prapambetjen ekonomike, varfërinë e qytetarëve dhe shkatërrimin e vlerave të demokracisë. Ne si Komitet kemi 30 vjet që punojmë vullnetarisht, nuk i kërkojmë as shtetit, as qeverisë, as donatorëve e as bizneseve mbështetje financiare apo rroga, sepse është vetë puna e pajtimit që nuk bëhet me projekte, donatorë e pagesa. Prandaj ju kërkojmë që në këtë pranverë, në 800 vjetorin e Mbretërisë së Arbërit, të bëheni të gjithë bashkë përpara popullit tuaj në këtë konferencë ndërkombëtare, tek Tempulli i së Drejtës, në Mirditë, me dt. 27 maj 2023. Kërkojmë që të Investoni për emrin tuaj duke u bërë pjesë e kontributeve vullnetare për restaurimit të këtij tempulli të së drejtës dhe ndërtimit të muzeut të Arbërit si dhe të kërkoni vendosjen në ligj që ajo Kishë të marrë statusin e Monument të Mbrojtur nga Shteti. Ju siguroj se Kisha e Shën Marisë së Arbërit është shumë më me vlerë për njerëzimin se Kisha e Shën Marisë së Parisit. Fatkeqësisht kjo Kishë –“Kasolle”, pa ar e shkëlqim, tempull i së Drejtës, është lënë në harresë nga regjimet që kanë sunduar me dhunë, padrejtësi e hile mbi shqiptarët. Pjesmarrja dhe kontributi Juaj në këtë konferencë është nder dhe detyrim para prindërve tuaj që vuajtën për t’ju rritur e shkolluar, për t’ju bërë të drejtë e të ndershëm për shoqërinë e njerëzimin.
Për më hollësisht do informoheni nga kontaktet që do kemi në lidhje me këtë aktivitet pranë Kryesisë së Kuvendit, tek Këshilltarja e Zonjës Nikolla, ku do gjeni programin paraprak të miratuar nga Akademia e Shkencave si dhe letrën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit që konfirmon vlerësimin e Bekimin e Papa Françeskut për këtë konferencë.
Me konsideratën më të lartë.
Juaj sinqerisht
Gjin Marku
Kryetar i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar