00355 68 27 37 989 gjin_marku@yahoo.com

Ne takimin e 12 ndërparlamentar, që u mbajt me 24 dhe 25 nëntor 2005, në Tiranë, parlamentarët europianë morën në shqyrtim fenomenin e gjakmarrjes në Shqipëri. Parlamentarët Europianë dëgjuan fjalën e Z. Gjin Marku, Kryetar i Komitetit të Pajtimit Mbarëkmbëtar mbi shkaqet dhe përhapjen e këtij fenomeni në Shqipëri. Mbas diskutimeve u vendos që, në rezolutën e këtij takimi, pika 14, ti bëhet thirrje shtetit shqiptar të përmirësojë ligjet dhe kodin penal në lidhje me këtë fenomen tragjik. Kryetarja e Delegacionit Europian Znj. Doris Pack u shpreh se do paraqesë pranë instancave të larta të BE-së shqetësimin rreth kësaj gjendje dhe do kërkojë mbrojtjen e familjeve që emigrojnë për shkak të gjakmarrjes në vendet BE-së.

Fjala e Z. Gjin Marku në takimin Ndërparlamentar

E nderuara Zonja Doris Pack
Te nderuar pjesmarrës.

Në emër të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar dhe të gjitha shoqatave të pajtimit ju shpreh falenderimin për preokupimin dhe trajtimin në këtë takim të fenomenit të gjakmarrjes.

Fenomeni tragjik i gjakmarrjes ka rrënjë të thella e të dyfishta, si tek mentaliteti e kultura e trashëguar ashtu edhe tek kriza shoqërore e shfaqjet negative të viteve të tranzicionit. Gjatë këtyre viteve, në mungesë, si të strukturave shtetërore ashtu dhe të hierarkive tradicionale, vrasjet për hakmarrje e gjakmarrje janë shfaqur në mënyrë tragjike, barbare dhe shumë të rrezikshme për një numër të madh familjesh, veçanërisht për jetën e grave dhe të fëmijëve.

Rikthimi i kanunit për vendosjen e rregullit në komunitet dhe shfaqja e ligjit zakonor të gjakmarrjes erdhi si reagim i qytetarëve të kërcënuar e të pambrojtur nga shteti, i cili nuk ka mundur të ushtrojë autoritetin e tij.
Kur nuk kishin shtetin e tyre, Kanuni ishte kushtetuta e shqiptarëve. Gjakmarrja, si institucioni i këtij kanuni, sanksiononte dënimin me vdekje për vrasësin, apo dhunuesin e pronës e të familjes. Këto organizime ishin të justifikuara për kohën e tyre, për shkak se populli shqiptar, historikisht pa përkrahje, është përballur prej shekujsh me shtypjen dhe sundimin e regjimeve të huaja. Ky represion i vazhdueshëm e ka detyruar atë të kërkojë në vetvehte mjetin e mbijetesës. Për të mbrojtur jetën, familjen, pronën dhe ekzistencën si komb, shqiptarët themeluan e trashëguan për shumë shekuj ligjet dhe të drejtat e tyre të sanksionuara në Kanun, i cili ishte më i respektuar e më i dashur se Bibla apo Kurani.

Me shpalljen e pavarësisë e themelimin e shtetit shqiptar në vitin 1912 filluan përpjekjet për vendosjen e shtetit ligjor.
Por mosbesimi ndaj shtetit dhe tendenca e vetmbrojtjes e udhëhoqi ndërgjegjen e shqiptarëve edhe në shekullin e 20-të. Kjo tendencë u shfaq veçanërisht mbas vitit 1913, kur u bë ndarja e teritorit shqiptar nga fuqitë e mëdha, dhe vazhdoi deri në vitin 1928, me formimin e Mbretërisë Shqiptare. Mbretëria, gjatë viteve 1928 – 1939 dha një shembull të shkëlqyer për vendosjen e rendit të ri kushtetues. Çdo ligj i kushtetutës u hartua në konsultë me qytetarët e krahinave dhe përfaqësuesit e popullit, duke bërë që populli ta konsideronte kushtetutën pronë të tij dhe t’i përulej asaj me respekt. Në vitin 1939, gjakmarrja ishte drejt eleminimit të plotë për shkak të solidaritetit të qytetarëve me ligjin dhe ndikimit të madh që pati funksionimi i mirë i drejtësisë. Shqipëria u bë një shtet demokratik e modern.

Mbas luftës së dytë botërore, me vendosjen e regjimit komunist ligji veproi arbitrarisht, ekzekutimin e vrasësit e mori përsipër shteti duke mos i lënë vend aplikimit të gjakmarrjes. Krahas masave ekstreme për kontrollin ndaj individit, shteti ndaloi me ligj edhe besimet fetare, asgjësoi institucionet e tyre si dhe shumë vlera të trashëgimisë zakonore duke bërë kështu efektin e kundërt e negativ tek bindjet e qytetarëve. Për të zbutur këtë efekt, përfaqësuesit e shtetit njëpartiak u detyruan të kërkonin bashkëpunimin me popullin duke aplikuar vendimmarrjet kolektive për vendosjen e rregullit në komunitet. Shteti ndërtoi urën e komunikimit me të gjitha nivelet e shoqërisë për hartimin e ligjit dhe konsolidoi regjimin me mbështetjen e qytetarëve.

Fatkeqësisht ky bashkëpunim e kjo urë komunikimi e klasës politike me popullin nuk u ndërtuan gjatë këtyre 15 viteve të pluralizmit politik. Papërgjegjshmëria e megallomania e kësaj klase politike ka bërë që mendimet e sugjerimet, tepër të nevojshme, që vijnë nga komuniteti, të mos përfillen. Të vetmet institucione që kanë bërë disa përpjekje të vakëta për të siguruar këtë urë komunikimi kanë qenë, presidenti i Republikës, policia e shtetit dhe avokati i popullit, por bashkëpunimi duhet të nisë me ndërtimin e ligjit. Shembull tipik i këtij mosbashkëpunimi, me pasoja shumë të rënda, ishte ligji 7501 mbi tokën, i cili u miratua me konsensusin e dy partive të mëdha. Në pjesën më të madhe të territorit të Shqipërisë ky ligj as nuk u pranua as u vu në zbatim. Në zonat ku ai është zbatuar ka sjellë konflikte duke shkaktuar vrasje edhe midis familjeve me lidhje gjaku. Vetëm në Komunën e Bushatit dhe disa fshatra të Nënshkodrës numërohen 1600 familje të tilla. Në shkallë vendi ky ligj ka sjellë hasmëri në mbi 15 000 familje që në çdo çast mund të shkaktojnë gjakderdhje midis tyre. Kjo mungesë përgjegjësie e klasës politike dhe institucioneve shtetërore është prezente në çdo aspekt të jetës shoqërore duke i hapur kështu rrugë veprimit kaotik e çorganizimit të shoqërisë, përhapjes së krimit dhe vetgjyqësisë. Me vetegjyqesi u eshte marre padrejtesisht jeta rreth 5000 shiptarëve. Nga viti 1991 deri në vitin 1998, 2300 familje u futën në ngujim për shkak të hasmërisë midis tyre. Vrasjet dhe urrejtjet midis individëve apo grupeve brenda shoqërisë u shtuan veçanërisht në vitet 1996-1997 nga lufta e ashpër politike dhe rrëzimi i firmave piramidale. Vetëm në vitin 1997 pati 1500 të vrarë. Në vitin 2002, ishin larguar jashte shtetit per t’iu fshehur vrasësit 1270 burra duke lënë për vite me radhë peshën e vuajtjes dhe përpjekjeve për mbijetesë mbi gratë dhe fëmijët. Fatmirësisht, sot, shumica e tyre është bashkuar me familjet mbas sigurimit të azilit në vendet perëndimore. Në sajë të punës së admirueshme të misionarëve të pajtimit sot, realisht janë të ngujuara vetëm 720 familje me 260 fëmijë nga të cilët 93 të rrezikuar seriozisht për jetën. Strategjia e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar për orientimin e traditës në mbështetje të shtetit të së drejtës kundër fenomeneve negative të shoqërisë ka gjetur mbështetje në popull, pasi Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar çdo çështje e ballafaqon në terrenin konkret, e konsulton me publikun dhe për zgjidhjen e tyre kërkon vendimmarrjen në komunitet. Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar ka angazhuar në çdo fshat grupet treshe të punës të përbëra nga drejtori i shkollës, kryeplaku dhe një përfaqësues i komunitetit të cilët udhëhiqen nga bordet e rretheve e të qyteteve për zbatimin e kësaj strategjie. Kjo ka bërë të mundur gërshetimin e veprimtarisë së misionarëve me përfaqësuesit e shtetit, të policisë dhe intelektualëve duke i dhënë kështu rolin udhëheqës dhe autoritetin ligjit.

Populli shqiptar e do shtetin dhe ligjin, por ai sot po vuan nën stresin e varfërisë ekstreme, të mungesës së shërbimeve më elementare dhe sigurisë për jetën. Shumica e qytetarëve kanë humbur shpresat për të ardhmen. Papunësia kap shifrat më të larta të vendeve të lindjes. Duke mos gjetur rrugëdalje, shumica e të rinjve kanë përqafuar rrugën e krimit, mijra vajza janë të detyruara të prostituojnë rrugëve të Europës. Gratë dhe vajzat e trafikuara janë nën kontrollin e plotë të trafikantëve që kanë kryer më shumë se një krim. Në çdo tre orë në xhepin e këtyre trafikantëve futen 2,1 milion dollarë. Për shkak të trafikimit të femrave 4600 familje janë në konflikt të thellë. Ky fenomen ka sjellë shpesh herë vrasje tragjike deri në hedhjen në erë të familjes së trafikantit. 40% e vrasjeve për hakmarrje e gjakmarrje janë pasojë e kësaj veprimtarie. Misionarët e Pajtimit kanë qenë të vetmit në përpjekjet për ndalimin e këtyre vrasjeve. Megjithëse pa përkrahje ata kanë arritur të mbajnë nën kontroll më shumë se 80% të konflikteve. Pjese e rëndësishme në punën e tyre ka qenë veprimi në mirëbesim për kthimin e vajzave të trafikuara dhe mbylljen e konfliktit pa e bërë publike, duke mbrojtur kështu dinjitetin e vajzës dhe shmangur gjakderdhjen.
Fatkeqësisht strategjitë e qeverisë dhe projektet e donatorëve ndërkombëtarë hartohen dhe planifikohen sipas metodave dhe mënyrave të tyre pa njohur terrenin, mentalitetin dhe psikologjinë e qytetarëve. Mbi 90% e këtyre projekteve nuk kanë gjetur zbatim në terren dhe nuk njihen nga grupet në nevojë. Kjo ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë kryesisht me strategjitë dhe projektet e luftës kundër trafikut të qenjeve njerëzore, gjakmarrjes e korrupsionit.

Për verifikimin dhe mbajtjen nën kontroll gjatë fushatës elektorale të familjeve në hasmëri, si dhe parandalimin e konflikteve të reja, nga data 20 maj deri më 8 korrik 2005, Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar organizoi një ekspeditë vullnetare 45-ditore në të gjitha fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë. Ajo u udhëhoq nga 160 aktivistë, kryetarë grupesh, dhe aktivizoi në të gjithë territorin e Republikës 2680 misionarë. Fatkeqësisht, ekspedita konstatoi se familjet e përfshira në konfliktet e gjakmarrjes apo të trafikimit të qenjeve njerëzore nuk kanë anjë dijeni për projektet e qeverisë apo donatorëve për rehabilitimin e tyre.
Ekspedita konstatoi se gatishmëria dhe bashkëpunimi profesional i Policisë së Shtetit në zgjidhjen me mirëkuptim të mjaft situatave konfliktuale, ka qenë shumë i dobishëm.

Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar ka vlerësuar vazhdimisht përpjekjet dhe sakrificat e punonjësve të Policisë së Shtetit përballë krimit të të gjitha llojeve. Nga radhët e tyre sot kemi rreth 400 të vrarë në krye të detyrës. Ne kemi pasur një bashkëpunim të mirë si me komisariatet në rrethe ashtu dhe me drejtuesit qëndror të kësaj policie. Bashkëpunimi ka qenë si në parandalimin e rasteve të dhunës e vrasjeve ashtu edhe në ndërgjegjësimin e qytetarëve për të respektuar ligjin. Strukturat e policisë së shtetit janë ne nivel më të lartë përgjegjësie se institucionet e tjera të luftës kundër krimit. Por policia nuk është mbështetur si duhet nga prokuroria e gjykatat.

Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar ka bërë publike disa herë rastet flagrante kur policia në bashkëpunim me misionarët e pajtimit, për të shmangur gjakderdhjen midis familjeve, ka ndaluar autorin e krimit, por ai është liruar nga prokuroria dhe gjykata. Lirimi i kriminelëve ose lehtësimi i dënimit të tyre ka sjellë reagimin e palës së viktimës duke shkaktuar ekzekutimin për gjakmarrje të kriminelit ose pjestarëve të familjes së tij.

Populli e ka konsideruar si jo të drejtë ligjin që dënon nga 25 vjet deri në burgim të përjetshëm vrasësin për gjakmarrje, kur krimineli ose vrasësi i mëparshëm është i lirë ose ka marrë një dënim qesharak. Ky handikap ka shkaktuar disa herë vrasje zinxhir mes familjesh apo fisesh.

Ky moment papërgjegjshmërie ka sjell ngujimin për vite të tëra të familjeve duke privuar lirinë e qindra të pafajshmëve. Në kësi rastesh bëhet shumë e vështirë edhe ndërhyrja ligjore e shtetit apo e organeve të policisë mbasi të afërmit e viktimës nuk shprehen për marrjen e gjakut por vetëm deklarojnë se nuk e falin vrasësin. Në këto rrethana Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar ka sugjeruar largimin e përkohshëm nga vendbanimi i familjeve të personave të ngujuar. Mbas kongresit të Dytë të Misionarëve të Pajtimit, që u mbajt më 17 shtator të vitit 2004, me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar ka arritur të sigurojë azil për shumë familje të kërcënuara nga gjakmarrja. Vendet që sigurojnë azil janë kryesisht ato të Europës Perëndimore si dhe Kanadaja e Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fatkeqësisht Qeveria Shqiptare ka nënshkruar aktmarrëveshje për kthimin nga vendet e Europës Perëndimore të emigrantëve shqiptarë që nuk kanë leje qëndrimi. Duke parë gjendjen e varfërisë ekstreme dhe konfliktet që rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe familjeve shqiptare, këto aktmarrëveshje janë antihumane dhe në kundërshtim me Kartën Botërore të të Drejtave të Njeriut. Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar u bën thirrje anëtarëve të rinj të Parlamentit e të Qeverisë së re të bëjnë përpjekje për rishikimin e këtyre aktmarrëveshje në bashkëpunim me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar dhe të qeverive të vendve ku ato kanë emigruar.

Megjithëse ka përpjekje dhe vullnet të mirë nga qeveria e re për të mbajtur fjalën e dhënë para popullit ose për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive me shoqërinë civile do të duhet shumë kohë dhe punë për vendosjen e besimit të popullit ndaj shtetit.
Institucionet e Shtetit nuk gëzojnë autoritet dhe besim në popull. Hartimi i ligjeve nga grupet parlamentare i ka shërbyer më shumë grupimeve politike për vendosjen e interesave vetjake e pushtetit personal mbi shoqërinë. Çdo qytetar shqiptar e ka shumë të vështirë të mendojë se mund të kontribuojë apo të bëhet pjesë e zgjidhjes së problemeve me votën e tij.
Për ruajtjen e sundimit, kjo klasë politike ka gjeneruar vazhdimisht nxitjen e konflikteve shoqërore, psikologjinë e vrasjes, urrejtjen dhe ndasitë historike duke e katandisur gjendjen psikologjike e ekonominë e shqiptarëve në nivel shumë më të ulët se vendet më të varfëra në botë.

Fatkeqësisht, Komuniteti Ndërkombëtar nuk i ka analizuar me objektivitet shkaqet e gjendjes në Shqipëri dhe veprimet e klasës politike. Politikanët shqiptarë i prezantojnë kërkesat e Komuniteti Ndërkombëtar si detyra ndaj tyre, si një formalitet juridik e jo si një çështje e gjithë shoqërisë shqiptare. Secili prej qytetarëve shqiptarë do të bëhet pjesë e përpjekjeve dhe e përgjegjësisë për ndërtimin e Europës së Bashkuar ndaj dhe kërkohet një këndvështrim i ri i çështjes së integrimit të Shqipërisë në Europë.

Mendojmë se duke i ballafaquar hapur e kritikuar ashpër të metat tona nuk do gjejmë stepjen e institucioneve të Europës për marrëveshjen e stabilizim asocimit me Shqipërinë, por do të rrisim përgjegjësinë e dyanëshme ndaj kësaj marrëveshje. Populli ynë është ndër popujt më të vjetër të Europës dhe kjo marrëveshje s’duhet të konsiderohet as si lëmoshë e as si presion. Ne jemi pjesë e Europës. Europa ka një borxh ndaj shqiptarëve. Bashkimi Europian ku aderojnë e luajnë rolin kryesor ish fuqitë e Mëdha duhet të japë një kontribut shumë më të madh se ai i deritashëm për nxjerrjen e vendit tonë nga kjo gjendje. Ky kontribut është i nevojshëm të jepet falas, veçanërisht në sistemin energjetik, infrastrukturën rrugore, në rrjetin e arsimit e të shëndetësisë si dhe fuqizimin e kapaciteteve të bisnesit vendas.

Kjo mbështetje do bënte një efekt shumë pozitiv edhe tek qytetarët shqiptarë që ende se kanë besimin e plotë në dashamirësinë e Europës. Vetëm në këtë formë do kemi zhvillim të shpejtë ekonomik, rritje të nivelit të jetesës, zhdukje të varfërisë, kontroll mbi krimin e organizuar e ndryshimin e mentalitetit të gjakmarrjes. Në luftën kundër fenomenit të gjakmarrjes ne i kemi kushtuar vëmendje edhe çrrënjosjes së mentalitetit patriarkal në shoqëri. Mentaliteti patriarkal ka bërë që gjatë periudhës 2002-2005, në Shqipëri të dhunohen në mënyrë tragjike 126 familje duke lënë të vrarë, jo vetëm gruan, por edhe fëmijët.

Varfëria dhe krimi i organizuar kanë bërë që, më shumë se 30 000 gra e vajza, të punojnë si prostituta në vendet e ndryshme të Europës. Kjo ka sjellë reagimin e ashpër të bashkëshortëve, vëllezërve, baballarëve apo kushërinjëve të parë duke sjellë viktima edhe brenda familjes. Burrat e të rinjtë e zonave rurale e perifive te qyteteve, në kushtet e mjerimit ekstrem, janë dhënë pas alkolit. Kjo gjendje ka qenë një predispozitë më tepër për rritjen e akteve të dhunës, grindjeve e vrasjeve momentale, cënimit të femrave që më pas shëndrrohen në gjakmarrje. Ky takim ka një rëndësi të veçantë për nga pjesmarrja por do të dëshironim ta merrte këtë rëndësi nga vendimet dhe angazhimi konkret i secilit nga ne për të bërë maksimalen që gjendja në Shqipëri të ndryshojë.

Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar kërkon që nëpërmjet këtij takimi:
-T’i prezantojë parlamentit europian, Bashkimit Europian, Këshillit të Europës si dhe OSBE-së nevojën për një mbështetje më të plotë të demokracisë dhe përparimit të reformave në Shqipëri si dhe marrjen në mbrojtje të të gjitha familjeve që emigrojnë për shkak të gjakmarrjes nga Shqipëria, duke marrë në konsideratë se shteti dhe shoqëria shqiptare, përkohësisht nuk kanë mjetet e duhura kundër këtij fenomeni dhe sigurimin e jetës së familjeve që janë në hasmëri.
-Të ftojë vendet anëtare të BE-së të aktivizojnë të gjitha potencialet e mundëshme për të ofruar më tepër projekte për popullsinë e zonave rurale në Shqipëri.
-Të ftojë Kuvendin e Shqipërisë të kontribuojë më tej në përmirësimin e ligjit në luftën kundër gjakmarrjes.
-Të ftojë Qeverinë Shqiptare dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara që të vënë plotësisht nën kontroll grumbullimin dhe regjistrimin e armëve.
-Të ftojë Organet shqiptare të ndjekjes, hetimit dhe zbatimit të ligjit të ngrenë nivelin e bashkëpunimit me komunitetin dhe shoqërinë civile për zbulimin, parandalimin dhe ndëshkimin e operatorëve të krimit të organizuar.
-Të ftojë sistemin gjyqësor, të japë drejtësi dhe të luftojë elementët e komprometuar nëpër gjykata.
-Të ftojë Qeverinë Shqiptare të marrë masat dhe vendimet përkatëse që, të gjitha institucionet e nivelet e administratës së shtetit shqiptar, të kenë statistikat e familjeve në konflikt për shkaqe të pronësisë mbi tokën e trafikimin dhe të ndërmarrë veprime të posaçme për shmangien e vetgjyqësisë.
-Të ftojë klerin që të luajë një rol më të madh në emancipimin e shoqërisë shqiptare.
-Të ftojë Qeverinë Shqiptare për të investuar më tej në ngritjen e qendrave mësimore dhe edukative për fëmijët jetimë e të ngujuar duke shfrytëzuar ish shtëpitë kulturore të ushtarakëve si dhe ndërtesat e tjera me karakter publik që lihen mbas dore për tu privatizuar.
-Të ftojë Ministrinë e Arsimit dhe e Shkencës, të ngrejë në një nivel më të lartë punën edukative në shkolla, që fëmijët të paisen me njohuri më të plota mbi dashurinë, punën, jetën dhe familjen, të drejtat e detyrimet në një shoqëri kontemporane.
-Të ftojë mediat të kontrollojnë botimet dhe emisionet që mund të nxisin psikologjinë e vrasjes për gjakmarrje.

Ju faleminderit